15 Mar
In: Lajme
Views: 0
15 Mar 2018

KREMTOHET 10 VJETORI i PAVARËSISË SË KOSOVËS

Regensdorf, 14 shkurt – Gjithandej mërgatës, ka ditë që kanë filluar manifestimet kushtuar tetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Thuajse në çdo manifestim, është e pranishme muzika, fjalime dhe recitime, por sot, ishte një manifestim paksa më i veçantë në Zvicër, që kemi parë deri më sot, është fjala për sivjet, ngase kryesia e xhamisë, së bashku me Sektorin për Kulturë e në bashkëpunim të ngushtë me imamin e xhamisë Shqiptare në Regensdorf, kremtuan këtë festë me një tryezë shkencore, pa munguar edhe programi tjetër artistik, përmes poezive. Ndoshta, edhe është paragjykuar, se të organizohet një eveniment i mirë kushtuar kësaj kremteje të veçantë në xhami është e vështirë, por, me fakte u tregua qartë, se xhamitë shqiptare në Zvicër, edhe pse është dëshmuar edhe me herët, nuk janë vetëm faltore, por ato shërbejnë edhe për evenimente të tjera në të mira të tjera të shoqërisë. Padyshim, se një organizim i tillë kërkon angazhim të madh, megjithate, këshilli organizativ i këtij evenimenti, e kaloi shkëlqyeshëm, duke na lënë thuajse të gjithëve pa fjalë. Të gjithë musafirët ishin të ftuar, dy tre javë më herët me ftesa për të ditur dhe rezervuar kohën që të jenë të pranishëm në këtë ngjarje. Bashkësia Islame Shqiptare në Regensdorf, është e njohur me organizimet e saja, në gjithë Zvicrën, europën, por edhe në atdhe, sepse aty është një numër i madh i veprimtarëve, që nuk kursejnë asgjë, për të dalur gjithçka si duhet e në të mirë të të gjithëve. Mjafton të kujtohet, se në këtë xhami, vetëm mësim fetar, mësojnë jo më pak se mbi 150 nxënës e të mos flasim me ndihmat e mëdha, që i ka bërë ndër vite në atdhe.

Xhamia e Regensdorfit, plotëson kushtet për organizime edhe më të mëdha të karakterit shkencor

 

Nga kjo xhami, është ndihmuar atdheu në situata të ndryshme, falë një organizimi unikë që e kanë nëmes veti, duke filluar nga anëtari, kryesia, imami dhe veprimtarë të tjerë. Janë organizuar tryeza të shumta fetare, por për të kremtuar pavarësinë e Kosovës ishte hera e parë dhe lirisht mundet të thuhet, se ia doli për mrekulli. Ishte një staf i madh i veprimtarëve, që shikonin me imtësi para fillimit të kësaj tryeze, që të kaloj si do të duhej, si nga teknika e deri tek prezentimi i musafirëve me referimet e tyre. Nuk munguan edhe lulet e freskëta, nëpër shumë tavolina, që të shkonte mendja, se ky organizim është në ndonjë Bibliotekë, që ka investuar ministritë përkatëse, e në fakt, ishim në xhami dhe gjithçka që kishte të bëj me organizimin ishte me vullnet të lirë nga mërgimtarët që janë rreth kësaj xhamie.

E padyshim, imami i kësaj xhamie Mr.Feriti, që njihet si ligjërues i mirëfillt nga të gjithë, sepse në një ligjërat të tij, sidomos të premtave (xhumave), është e pamundur të mos shohësh mbi 200 vetë e ndoshta edhe më shumë. Më la përshtypje edhe gazetari, publicisti e poeti Mr.sc.Dashnim Hebibi, i cili po sot ishte i pranishëm në këtë tryezë dhe u prezentua me një poezi, në njërin nga librat e tij, kishte shkruar në profilin e tij në Facebook:„Se vërtet organizimi ishte shembullor dhe e kishte marë malli të shoh një program aq të mirë“. Nga kjo kuptova, duke e patur parasysh punën e tij, që nuk është ndalur për asnjë moment nëpër manifestime të diasporës sonë, se ky eveniment u shënua mrekullisht. Ashtu siç ishte njoftuar, se në orën 15.30 do të filloj tryeza, imami i xhamisë Mr.sc.Ferit Zeqiri, ia dha shenjën moderatorit që të filloj. Festim Mustafi, e moderoi këtë eveniment, me fjalë të shkurtërta, por me shumë kuptim, duke i përshëndetur të gjithë të pranishmit. Moderatori në fjalën e tij hyrëse, falënderoi, kryetarin e xhamisë z.Mevludin Ashiku, imamin Mr.Ferit Zeqiri, kryesinë, Akdemik Prof.dr. Feti Mehdiu, Dr.sc.Llukman Halili, kryetarin e Unionit të imamëve shqiptarë në Zvicër, Mr.Nehat Ismaili, imamët e tjerë, si Mulla ef.Nebi Rexhepi nga xhamia shqiptare e Cyrihut, imami i xhamisë së Kreuzlingenit, Rejhan ef.Neziri me kyetarin e po kësaj xhamie dhe teolog të tjerë,  gazetarin e mirënjohur nga Shqipëria z.Ferdinand Samarxhi, zonjën e nderuar,

Shukrije Ramadani, drejtoresh e Qendrës Kulturore për Zvicër, e njëherit bashkëshortja e komandantit legjendar Agim Ramadan, Z.Islam Spahiu nga konzullata e Cyrihut, përfaqësues të LAPSH-shit, përfaqësues të mediave nga atdheu, të nderuar të pranishëm, në emrin tim, në emër të kryesisë së xhamisë dhe në emër të sektorit për Kultur ju dëshirojmë mirëseardhje në këtë eveniment madhështor, me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë së R. së Kosovës. Kosova dhe i gjithë kombi shqiptar, po feston 8-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pas një shekull martirizimi dhe një robërie shekullore nën thundrën sllavo-komuniste edhe për Kosoven më në fund lindi drita, dritë që rezultoi me Pavarsinë e Republikës së Kosovës. Në këtë përvjetor të tetë, të pavarsisë jemi bashkë te vendosur dhe krenar dhe të perkushtuar për Kosoven, vend për të cilin sakrifikuan gjenerata të tëra, vend i cili tash është pjesë e pandashme e botës demokratike.

 

Më 17 shkurt 2008, lindi një shtet i ri, shtet i pavarur që ishte synim i përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme 

 

Historia e kombit shqiptar ka nxjerrur shumë heronjë lufte e heronjë paqeje, por edhe heronjë pende, mendimesh e idesh.

Këta heronjë, ishin sy patrembur, urrenin padrejtesitë dhe shtypjet ndaj kombit të vet dhe ishin të gatshëm që për lirinë dhe për sigurimin e triumfit kombëtar të bënin sakrificën më të madhe, të jepnin jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot, Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë për heronjë mendimesh e idesh, njerëz që me fjalë e vepra përpiqen të çojnë në vend amanetet e të parëve, si dhe të shpërblejnë gjakun e derdhur të dëshmorëve për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar.

 

Për të kuptuar më tepër një pjesë të atij realiteti, ne kemi ftuar dy ligjëruesit tanë të nderuar: Akademik prof.dr. Feti Mehdiu dhe Dr.sc. Llukman Halili, të cilët do t`na referojnë me temën: “Sakrifikimi për pavarësi dhe rrugëtimi tetëvjeçarë i Kosovës”. 

 

Krahas kësaj, do të kemi edhe një ligjëratë të shkurtër nga Mr. Ferit Zeqiri, me temë: “Ruajtja e identitetit”, si dhe  disa recitime të poezive, nga disa nxënës që ndjekin mësimin fetarë këtu te xhamia, dhe poezi nga poeti, gazetari e publicisti Mr.sc. Dashnim Hebibi, njëherit edhe autor i poezive“.

 

Letërnjoftim i referuesve të kësaj tryezeje:

Akademik Prof.dr. Feti Mehdiu, lindi në vitin 1944 në fshatin Zajaz të Kërçovës. Në vitin 1967 ka kryer Medresenë “Alauddin” në Prishtinë. Studimet i ka kryer në Fakultetin e Filologjisë, në Beograd, degën e Filologjisë Orientale, në vitin 1971, ku ka vazhduar edhe studimet pasuniversitare. Në vitin 1977 mbrojti punimin e magjistraturës me temën: “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën serbo-kroate”, kurse doktoratën e ka mbrojtur në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, në vitin 1990, me temën: “Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe, 1922-1982”.Ka punuar në shumë Institute, Fakultete dhe Universitete, si Instituti i Historisë në Prishtinë, Fakulteti i Filologjisë në Prishtinë. Në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.

Ka marrë pjesë në më shumë se tridhjetë simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit si në: Prishtinë, Sarajevë, Zagreb, Shkup, Tetovë, Tiranë, Stamboll, Amman, Teheran, Lahorë, Ankara etj.

Ka botuar shumë punime, shkrime, përkthime dhe autorë i shumë librave.

 

Dr.sc. Llukman Halili

Llukman Halili i lindur në Tërnoc të Bujanocit. Ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb, në vitin 1979, ku edhe përfundoi studimet e tij pasuniversitare dhe merr gradën shkencore Master i Shkencave Politike në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Në vitin 1984 ka specializuar në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Universitetin e Varshavës. Në vitin 2013 mbron disertacionin e Doktoraturës në lëminë e Shkencave Humane në Universitetin e Zarës në Kroaci.Tema kishte të bëjë me: Historinë politike të Shqipërisë së viteve 1990-92. Publicisti, politikologu dhe gazetari Dr.Llukman Halili, pos që punoi në disa redaksi si gazetar, redaktor, komentator dhe korrespondent, ai është autorë edhe i disa veprave, ndër to: “Politika e jashtme e Popullit polake 1945-1980”, bashkëautor (me Blerim Shalën) i librit “Unë, Ramiz Alia dëshmoj për historinë”, dhe se autor i shumë  shkrimeve të publikuara nëpër gazeta të ndryshe dhe web-faqe të ndryshme elektronike. Që nga viti 1994 është duke jetuar dhe vepruar në Zvicër. Programi filloi me poezinë “17 Shkuti”, vogëlushi Mexhaiti e recitoi shumë bukur dhe fitoi duatrokitje nga të pranishmit, i cili kishte veshur veshjet kombëtare, pa munguar plisi.

Menjëherë, fjalën e mori Mr. Ferit Zeqiri, imam i kësaj xhamie, i cili u mirëprit nga të gjithë të pranishmit me një temë shumë interesante. Po shkëpusim pjesë nga referimi i tij.

 

Mbrojtja e identitetit në diasporë

 

Po e filloj ligjërimin tim me pyetjen: ç’është identiteti? Identiteti nënkupton: Veçoritë me të cilat identifikohet qenia, botëkuptimet, idetë, ndjenjat dhe sjelljet e njeriut. Ose mund të thuhet se identiteti është:  Realiteti i çdo gjëjë dhe cilësitë e saj me të cilat veçohet nga të tjerët dhe paraqet me te personalitetin e vet. Në fjalorin e gjuhës shqipe, identiteti është definuar si vijon: Të qenët i veçantë nga të tjerët dhe i njëjtë vetëm me vetveten në disa veçori e tipare që shërbejnë për t’u njohur pa vështirësi si i tillë.   Në fakt, identiteti e jep përgjigjen në pyetjet: Kush jam unë? Me çka veçohem unë? Cilët janë tiparet me të cilat dallohem apo veçohem unë?Nga kjo mund të themi se identiteti është ai që e veçon një popull nga një tjetër.

Prandaj edhe ne shqiptarët kemi veçoritë tona, gjuhën tonë, kulturën, zakonet, traditat, pra kemi identitetin tonë, dhe si të tillë duhet çdo kund të prezantohemi me identitetin tonë, si besimtarë të denj, si shqiptarë të denj, qoftë në politikë, ekonomi, arsim, kulturë, biznes etj.

Si mund ta ruajmë identitetin

Ndoshta faktorët mund të jenë të shumtë, por do të cek vetëm dy:                               1.Identitetin mund ta ruajmë duke u arsimuar dhe studijuar, sepse besimi dhe identiteti nuk mbrohen pa dije, pa e njohur të kaluarën, pa e njohur historinë tonë. Dhe imperativi i parë që na ka ardhur nga Zoti ishte: “Mëso, lexo, studijo, hulumto”, dhe fjala që më së shumëti është cekur në Librin e Shenjtë (në Kuran) pas fjalës Allah është fjala “ilm-dituri” (300 herë). Prandaj muslimanët, por në veçanti ne shqiptarët duhet të shpenzojnë më tepër në shkollim, në arsim, në shkencë, se sa në dasma.

Ne, shqiptarët, siç thotë Hegeli:“Nga historia e popujve duhet të mësojm, se popujt nga historia nuk kanë mësuar sa duhet. Nëse nuk mësojmë, atëherë, do të pësojmë”

Ne kemi nevojë të ndërtojmë njerëz të shëndosh dhe ata pastaj do të ndërtojnë nëse ka nevojë edhe botën. Disa studentëve u dhanë një gazetë që në njërën anë kishte të vizatuar Globin kurse në anën tjetër njeriun,pasi që ato e coptuan dhe e qanë, kërkuan prej tyre që ta ndërtojnë Globin. Filluan studentët me rradh por asnjëri nuk arriti të bëjë një gjë të tillë. Vetëm njëri prej tyre arriti ta realizojë ate, kur e pyetën se si e bëre këtë? Ai tha: Unë nuk e ndërtova Globin, por ndërtova njeriun.                                                                                               Pra nëse ndërtojmë njeriun,  njeriu pastaj do ta ndërtoj botën.

 

 12717712_1353522568008254_8195209586579016510_n

Krahas shoqatave, mediave, shkollave shqipe, edhe institucionet fetare shqiptare,  janë adresë e rëndësishme e ruajtjes së indetitetit dhe kulturës tonë. Pra, xhamia gjithashtu është një faktorë me ndikim në formësimin dhe mbrojtjen e identitetit shqiptarë, në veçanti atij musliman. Kjo është dëshmuar gjatë periudhave dhe kohërave të ndryshme, qoftë gjatë luftrave por edhe pas tyre, ku shpesh herë në Xhami është kërkuar ndihmë dhe mbrojtje, shpeshherë xhamitë janë përdor si vendstrehim.Dhe shembullin më të freskët e kemi në rastin famëkeq për ne shqiptarët  në Kumanovë dhe fatkeqësinë natyrore në malësinë e Tetovës, kur nën ombrelën e Unionit nga xhamitë u tubuan 200 mijë franga në rastin e parë dhe mbi 60 mijë në të dytin.

-Gjithashtu bazuar në definicionin e identitetit, gjuha është një nga elementet e identitetit, e mu ky element ka gjetur strehë në xhami në periudhën moniste, komuniste dhe po gjen edhe sot e kësaj dite. Përmes ligjëratave të njohura si derse, vaize dhe hutbe, në xhami u kultivua dhe u mbrojt gjuha nga ndikimet e barbarizmave sllave në trojet e ish Jugosllavisë.

Në këtë drejtim, xhamitë kanë patur rol kyç në mbrojtjen e identitetit fetar dhe kombëtar të popullatës tonë.

Shpesh herë akuzohen hoxhallarët se kanë thënë: Shapka (kasketa) është haram (e ndaluar), por është interesant se asnjëherë nuk kanë thënë se Kësula e bardh  (që ne i themi Plisi) nuk kanë thënë se është haram, sepse me te është identifikuar shqiptari.

 

Themelimi i kulteve fetare në diasporë, ka qenë një nga hapat më të qëlluara të popullatës tonë për ta mbrojtur identitetin dhe për t’i kultivuar vlerat fetare dhe kombëtare te brezat e rinj. Xhamitë në diasporë kanë qenë institucionet më të rëndësishme të frymëzimit të popullatës, si dhe bartëse kryesore të aktiviteteve madhore, qofshin ato me karakter fetar apo kombëtar. Në këtë drejtim, sa për ilustrim do të përmendim disa elemente:

-Mektebet– apo në gjuhën shqipe mësonjtoret. Roli i këtyre mektebeve ka qenë zhvillimi i mësimit fetar, edukimi dhe ngritja e vlerave morale, si dhe formimi i individit dhe familjes së shëndoshë. Mektebet, krahas mësimit fetar dhe vlerave morale, kanë kontribuar edhe në kultivimin e një elementi shumë të rëndësishëm të identitetit tonë, gjuhës shqipe, ngase ligjërimi në këto mektebe është bërë ekskluzivisht në gjuhën shqipe.

Shënimi i datave të rëndësishme të historisë kombëtare krahas atyre fetare: Xhamitë në diasporë kanë luajtur një rol të madh në vetëdijësimin e brezit të ri për dashurinë ndaj atdheut, sepse një dijetarë thoshte: ““Dashuria për atdheun është pjesë e besimit”  (Fudejl ibn Ijad), si dhe për datat e rëndësishme të historisë tonë fetare dhe kombëtare. Kështu, xhamitë në diasporën qe një kohë të gjatë janë duke shënuar 28 nëntorin (ditën e flamurit), ditën e alfabetit, e në kohën më të re edhe 17 Shkurtin, ditën kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Rasti më i freskët është: Shënimi i 100 vjetorit të shtetit Shqiptarë, organizuar nga Unioni i imamëve shqipëtarë në Zvicër. Dhe ja ne sot jemi dëshmi praktike e asaj që pohojmë.

Kurse ne si Qendër islame, unë si imam dhe ne si Union, jemi shumë të inresuar dhe të përkushtuar, që në këtë vend demokratik të promovojmë islamin mesatarë, islamin e ekuilibruar, larg çdo llojë ekstremizmi apo radikalizmi. Të promovojmë kulturën e dialogut në vend të grindjes, kulturën e paqës dhe jo të dhunës, kulturën e dashurisë dhe jo të urrejtjes , kulturën e tolerancës dhe jointolerancës, kulturën e barazisë dhe drejtësisë dhe jo diskriminimit, kulturën e bashkëjetesës dhe jo të mvetësisë. Sepse një thënje e urtë thotë: Një kopsht me një lloj lule është i mirë, por një kopsht me shumë lloj lulesh është edhe më i mirë.

Një rëndësi të veçant i kushtojmë çështjes së integrimit, dhe për ta ndihmuar ate në kuadër të xhamisë kemi formuar sektorin për integrim, që njëherit është edhe pjesë aktive e zyrës për integrim në nivel Komunal. Dhe unë vet si imam jam pjesë e projektit “Imam Platformen” që organizohet nga Zyra për integrim në niver Kantonal.

-Kurse ne si shqiptarë ndoshta kemi nevojë të disiplinohemi, të ndahemi njëherë e përgjithëmon nga rrëmuja, kaosi dhe mungesa e rregullit.

Ne bëjmë thirrje për më tepër mirëkuptim, vetëdijësim dhe ndërgjegjësim tek popullata  jonë dhe udhheqësit tanë, bëjmë thirrje që në rend të parë të vihen interesat shtetërore dhe kombëtare, përpara interesave personale apo partiake.

Hafiz Vehbi Dibra ka thënë (cioj) “Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”.

Nuk mund ta përfundoj fjalimin tim, pa falenderuar  Shtetin e Zvicrës, një shtet mik i shqiptarëve, që në mënyrë të drejtë, qëndroi pran popullit shqiptarë, para, gjatë dhe pas luftës. Këtë nuk e them për formalitet, por përshkak se kështu na mëson feja jonë, Profeti Muhamed a.s. thoshte:” Kush nuk falenderon njerëzit, ai as Zotin nuk falenderon”.

Në fund e lus Zotin që të dhuroj paqë e qetësi, në Kosovë e Shipëri, në mbarë shqiptari, dhe jo vetëm në shqiptari, por në gjithë botën dhe në gjithë njerëzi.

Siq e lus të shpërblej të gjithë ata që sakrifikuan jetën, pasurinë dhe familjet e tyre për atdheun, e në veçanti dëshmorët e rënë për vatan.

Urime tetë vjetori dhe na priftë e mbara. Të gjithë të pranishmit e duatrokitën këtë referim të imamit të kësaj xhamie shqiptare. Menjëherë fjala iu dha, referuesit  Akademik prof.dr. Feti Mehdiu, i cili në formë bashkëbisedimi me të pranishmit, na bëri që të përfitojmë shumë nga kjo ligjërat apo referim enkas për këtë tryezë. Akademiku, vlerësoi lart kontributin e mërgatës shqiptare nëpër periudha të ndryshme që ka kërkuar atdheu ynë, jo vetëm për Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, por edhe në Luginë të Preshevës. E në këtë rast, ai vlerësoi padyshim, edhe punën e madhe që kanë bërë xhamitë shqiptare në Zvicër. Profesori, kujtoi, se mërgimi sot për sot është krejt ndryshe duke krahasuar para tre dekadave, që kishte pas ardhur edhe ai vetë herë pas here. Ai porosit të pranishmit, që është mirë, që të investohet në atdhe, e jo vetëm ti dërgohet të holla familjarëve, por sa më shumë të investojnë, sepse atdheu ynë ka nevojë për investimet e mërgatës. Nuk e anashkaloi edhe situatën aktuale që po mbretëron në Kosovë e atdhe, por mbi të gjitha tha, se do të duhet të jemi më të bashkuar, sepse për këtë Kosovë është derdhur shumë gjakë, shumë kanë dhënë jetën dhe shumë e shumë të tjerë, nuk u dihet se ku i kanë eshtrat. Për hirë të sakrificës së madhe që kemi bërë, duhet të jemi më të bashkuar e të ecim te para. Gabojnë tha ndër të tjera profesori, ata që thojnë apo mendojnë, se Kosovën e çliruan miqtë tanë ndërkombëtarë, ata na ndihmuan shumë, por edhe ne luftuam. Ne u jemi mirënjohës shumë miqëve tanë, që e luftuan ate regjim. E gjithë ligjërata e Akademikut, ishte e temës së kësaj tryeze, ku na la të gjithëve optimist, se vetëm duke investuar në arsim e kulturë, e padyshim duke ruajtur origjinalitetin tonë si shqiptarë kudo që jemi, do të jemi aty ku e kemi vendin. Në fund, përgëzoi këshillin organizativ dhe do të kthehet në atdhe, me përshtypjet më të mira. Pas referimit të Akademikut, fjala iu dha, poetit, gazetarit e publicistit, Mr.sc.Dashnim Hebibi, i cili me një përshëndetje të shkurtër, për të mos u marrë kohë të tjerëve, lexoi një poezi të tij „Dialog me gurin“, po nga libri i tij me këtë titull shqip e gjermanisht të botuar në vitin 2003. Poezia, kishte mesazhin, se të bashkuar do të bëjmë ate që e duam të gjithë, bashkimin dhe forcën. Ndërsa, Dr.sc.Llukman Halili, gjatë tërë referimit të tij, jepte emocione të herë pas hershme, me temën e tij shumë interesante, duke dhënë mesazh të qartë, se edhe hoxhallarët shqiptarë, kanë kontribuar shumë për të mirën e atdheut, edhe ate në periudha të ndryshme.

lll

 

Dr.sc. Llukman Halili, i kishte kushtuar disa fjalë Mulla Idrizit-Gardianit të kombit dhe atdheut.

Ai ndër të tjera tha: „Faik Konica ka thënë: “Të mos ishte Islami, populli shqiptar do të ishte shumë më tepër në numër, por jo shqiptarë”[1] Që nga periudha e hershme e Rilindjes, përmes alfabetit, arsimimit e ngritjes së vetëdijes kombëtare e deri sot cështjes kombëtare iu përkushtuan me qindra hoxhallarë, prandaj ky vështrim e Shumë prijës fetarë, duke qenë të udhëhequr nga mulla Ymer Prizreni, iu kundërvunë vendimeve nga Stambolli, atëherë kur fati i Shqipërisë rrezikohej, duke qenë deputetë në parlamentin osman, themeluan Komitetin Qendror të Stambollit dhe u krijua arteria e shqiptarisë – Lidhja e Prizrenit (1878-1881)”. Një fakt i njohur nga historia është edhe se nga 40 firmëtarët e Pavarësisë, 5 prej tyre ishin imam të xhamive. Nuk mund të anashkalohen eruditi i madh i Rilindjës – Hoxha Tahsini, pastaj Ymer Prizreni e Daut Efendi Boriçi në Lidhjen e Prizrenit, Haxhi Zeka, Hafiz Ibrahim Shkupi i Kongresit të Manastirit, (13) Myfti Haxhi Vehbi Dibra, komentatori më i mirë i Kur’anit në gjuhën shqipe, Sheh Ahmet Pazari të shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe ngritjes së Flamurit, pastaj Hafiz Ali Korça e Ismail Efendi Ndroqi të Kongresit të Durrësit më 1918, Mutesin Këlliqi i Kongresit të vitit 1920, Mulla Idriz Gjilani e Ilaz Broja të periudhës së Ballit Kombëtar

Mjafton të kujtojmë vargjet e Fishtës te “Lahuta e Malsise“[4],

“Shtrine te ngratin hafiz Myslimin, dhe ne dru e rrahen trimin

Sado qe ishte nje “ hafiz”“Jam shqiptar me gjuhe e fis”

Jam Shqiptar pergjigjet Hafizi deri qe ashti i kambes i krisi.[5],

Ata mbrojtën fjalën e shenjtë të Kur’anit, hadithin e Muhamedit (alejhis salatu ves selam) dhe interesin e kombit e atdheut. Motoja, “me fe e komb”, apo, “me komb e fe” ishte dhe mbeti përkushtimi i tyre i paluhatshëm në rrugën e përhapjes së Islamit por edhe në mbrojtje të të drejtave kombëtare kundër pushtuesve. [6]Mulla Idriz Gjilani ishte dhe mbeti figura më legjendare dhe më heroike e historisë moderne të Kosovës. Kontributi i tij pavarsisë së Kosovës nuk mund të mbatet me asnjë fjalë me asnjë kumtesë e me asnjë libër. Idriz Hajrullahu më vonë Mulla Idriz Gjilani  përkushtimin për lirinë e Kosovës dhe atdhetarizmën për Shqipërinë etnike e dëshmoi në fushën e betejës edhe atë me moton – PA ATDHE NUK KA AS FE në kuptimin e ushtrimit të fesë në liri dhe atë në atdheun e lirë e jo të robëruar. “Pa një atdhe të lirë feja nuk mund të mbahet kurrë, nuk mund të ushtrohet”;[7] Ishte figurë madhore poliedrike, që shumë vite mbeti i anatemuar dhe i pastudiuar nga shkenca e historisë, i mbajtur në kujtesë vetëm në mendjen e popullit që nuk i harron bijtë e vet edhe atëherë kur pushtetet përdorin tërë forcën për të fshirë këtë kujtesë. Harresa ndaj Mulla Idriz Gjilanit ishte lloj vardisjejeje ndaj rrymave të ashtuquajtura të historisë moderniste dhe vardisje primitive ndaj pseudovlerave shkencore. Ai u la në harrësë të qëllimshme vetëm nga shaku i petkut të tij fetar, vetëm pse ishte hoxhë. Por ai pikërishtë si hoxhë në analet e historisë moderne do të kujtohet si fîgurta më madhore historike shqiptare sëbashku me Hasan Prishtinën. Mulla Idriz Gjilani është heroi më i madh kombëtar dhe kontrbuesi më përmabjtësor i pavarsisë së Kosovës.   Ai ishte intelektuali i kohës, që s,e deshi rehatinë e as kolltukun kur KOSOVËS i vihej zjarri . Ai nuk do të dorëzohej kurrë edhe kur thurreshin plane për zhdukjen e shqiptarëvee, kur qenia njerzore rrezikohej seriozisht, kur harta ballkanike e evropiane pësonte ndryshim si gjithmonë në dëm të kombit tonë. Ai sintetizoj në mënyrë praktike teorin shkencore se pa Atdhe nuk ka Fe. Prandaj përkushtimi patriotik, duke rrezikuar edhe vetëveten , nuk e hamendi por,përkundrazi , ai bëri gërshetimin dhe sendërtimin e ideve në objektivat e kohës “Lexoni te mualimë të urtë sa e mirë dhe sa e kuptueshme është feja islame, kur shpjegohet shqip, në gjuhën e Zotit për shqiptarët”.[8] Mulla Idriz Gjilani , udhëheqës i ushtrisë vullnetare shqiptare të Kosoves Lindore, si njeri i penës dhe i pushkës , fesë dhe i vatanit , qëndroi besnik idealeve të larta kombëtare.
Ai deri në frymën e fundit do të mbetet udhëheqës i denjë i lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar.

Vdiq ashtu si ishte nisur, me fjalët në gojë,” Në mbrojtje të Atdheut vritet vetëm ai që e ka fat shehitllëkun”...Fetar, atdhetar konsekuent, orator e mjeshtër i penës, i zoti i punës, besnik i fjalës, predikues fetar dhe mualim-mësues iluminist, ideolog dhe luftëtar i lirisë, i vendosur në idealet e veta liridashëse si bjeshkët e Kosovës të cilat i mbrojti me fjalë, me pushkë, me gjak, burrërisht, trimërisht, i pathyeshëm, me plagë në zemër e në trup, nuk u dorëzua për t’u bërë legjendë. Kështu e portretizoi Studjuesi i mirënjohur Muhamet Pirraku udhëheqësin Shpirtëror, Politik dhe Ushtarak të madhin, Mulla Idriz Gjilani.

Veprimtaria kombëtare ishte krejt jeta e tij.

Në edukimin e tij si fetar ai u nis nga disa parime kur’anore dhe hadithore që përcaktonin vlerat e arsimit, të kulturës dhe të edukatës : “Pa shkollim – thotë ai, – nuk ka as fe të mirëfilltë”, “Talebet (nxënësit) tonë nuk duhet të mësojnë më vetëm për leximin e Kur’anit, por edhe për njohjen e mjeshtërisë së shkrimit. Talebet tonë duhet t’i nisim në rrugën për ta njohur islamin dhe jo për ta prezantuar si diçka statike”, “S’ka fe pa atdhe” , “Të ndihmojmë njëri-tjetrin me fjalë, me penë, me pasuri, të duhemi si vëllezër”, “Pa një atdhe të lirë feja nuk mund të mbahet kurrë, nuk mund të ushtrohet”, “Lexoni te mualimë të urtë sa e mirë dhe sa e kuptueshme është feja islame, kur shpjegohet shqip, në gjuhën e Zotit për shqiptarët”. Në prill të vitit 1937, në kushte ilegaliteti, themeloi në Arllat të Drenicës Organizatën e Rinisë Përparimtare “Drita” të Kosovës. Aktivitetet e tij fetare nuk dalloheshin nga ato atdhetare e humane. Kudo, kurdo e me këdo ato ishin të pranishme.

Mulla Idrizi ishte kundër shpërnguljes së shqiptarëve.

Në funksion të kësaj bindjeje atdhetare e humane ai programonte në xhami, në konaqe, në kuvende e deri në ceremonitë e vdekjes. Në formë kushtrimi ai thërriste: “Jemi përgjegjës për varret e prindërve tanë para Zotit dhe para kombit. Nuk guxojmë të heqim dorë prej tyre t’i lëmë të shkreta për t’i lavruar derrat e naçalnikëve sllavë! Jo vetëm në Turqi, por as në Shqipëri nuk bën të shkojmë. Zoti në Kur’an na ka bërë përgjegjës për vatanin dhe kombin!” Uniforma e ndihmoi për të maskuar aktivitetin e tij patriotik. Mulla Idriz Gjilani ishte një “rilindës” në kuptimin e vërtetë të fjalës në kushtet që kalonte Kosova. Në kohën kur Mulla Idriz Gjilani ushtronte detyrën e bashvaizit, numri i nxënësve të “Atik medresesë” të Gjilanit arriti në 734, nga të cilët 326 ishin femra. Po ashtu i organizoi shkollat lëvizëse me mësues shetitës. Vetëm në zonën e Gjilanit u hapën 39 shkolla të tilla fetare, që zgjuan te brezi i ri ndjenjat fetare dhe ndërgjegjën kombëtare.

VEPRIMTARIA USHTARAKO-POLITIKE

Nga prilli 1941 Mulla Idriz Velekinca iu kushtua plotësisht veprimtarisë politike. Si hoxhë me forcën e Zotit, si mësues me forcën e fjalës, si luftëtar me forcën e armës, si komandant me besnikërinë e ushtarit, ai luftoi për unitetin territorial të trevave shqiptare, luftoi kundër gjenocidit serb e bullgar, kundër komunizmit. Në qershor të 1944 -ës drejtoi betejën e Kikës, ku shqiptarët e udhëhequr prej tij dolën fitimtarë kundër ushtrisë sllavo-komuniste. Veprimtaria e Mulla Idriz Gjilanit është heroike. E tillë është edhe periudha 1944-1949 dhe kallja e tij në zjarr më datën e 25-26 nëntorit 1949.
Ishte intelektual i kohës, i cili zotëronte shumë gjuhë orientale, gjë që e mundësoi të njihet me arritjet shkencore të kohës, në fushën e fizikës, kimisë, mjekësisë, astronomisë, etj. Botoi punimet fetare “Lindja e pejgamberit”, dhe “Vllazëria Islame’, të cilat përshkoheshin nga mesazhi i paqes, vllazërimi, bashkimit kombëtar, etj. Mulla Idriz Gjilani: “Liria e vatanit nuk fitohet me partia e me tarafe, me të pafe e me shkije të veshur shqiptarçe”. (wikipedia)

Mulla Idriz Gjilani, paraqet personalitetin më të rëndësishëm, të lëvizjes anti – fashiste, anti – slave dhe anti – komuniste në këtë hapësirë. Kjo lëvizje ishte e para në Europë kundër komunizmit, e bashkë me të edhe kundër okupimit të tokave shqiptare nga forcat sllavo – komuniste. Presidenti i Republikës i jep Mulla Idriz Gjilanit – pas vdekjes, dekoratën “Nderi i Kombit”. Atdhetar, intelektual, humanist dhe prijës ushtarak. Nëpërmjet edukimit fetar me frymë atdhetare, bashkoi rreth vetes shqiptarët pa dallim feje, luftoi deri në vdekje për unitetin territorial të trojeve shqiptare. Xhelatët serb Mulla Idriz Gjilanin e sollën të prangosur në Burgun e Gjilanit me datën 23/24 nëntor 1949, pas shumë torturave shtazarake dhe çnjerëzore. Këto tortura do të vazhdonin deri në orët e para të natës së 25/26 nëntorit 1949, kur edhe Mulla Idriz Gjilani është shpallur i vdekur. Mirëpo fjalët e tij para se të fillojnë torturat e tmerrshme për vdekje ishin: „Po e bëj nijet me vdekë për LIRINË e POPULLIT TIM!“ Kontributi i hoxhallarëve për vatan nuk u ndal kurrë, por ai vazhdoi deri në luftën tonë çlirimtare ku, vetëm në këtë të fundit në vijat e para të frontit u vranë 36 hoxhallarë (Shih monografinë: Imamët dëshmorë në luftën e fundit në Kosovë, 1989-1999).“. Ky referim nuk shpëtoi edhe pa lotë nga të pranishmit. Lutem për Shqiprinë“, ishte poezia që recituan fëmijët mërgimtarë: Resuli Albesa dhe Jasini. Me nga një fjalë rasti u paraqitën edhe kryetari i Unionit Mr. Nehat Ismaili, Islam Spahiu, konzull i Kosovës në Cyrih, zonja Shukrije Ramadani, Naser Ulaj mësues i Shkollës Plotësuese Shqipe në Zvicër, si dhe gazetari i mirënjohur nga Shqipëria z.Ferdinand Samarxhi. Të gjitha këto përshëndetje u mirëpritën nga të pranishmit. Në fund, iu dha mundësia të pranishmëve, që të debatojnë për temën në fjalë dhe të gjithë u ndanë të kënaqur. Veprimtari i njohur, z.Abi Muhtari nga rrethina e Gostivarit, i cili ishte me prindin e tij, na tha, se ky organizim ishte jashtëzakonisht i mirë. Nga organizatorët u shtrua edhe një koktej dhe patën mundësi të bashkëbisedojnë edhe më shumë për tema të ndryshme që na preukuptojnë neve mërgimtarëve dhe uruan njëri tjetrin për këtë festë si dhe u realizua një foto e përbashkët për kujtim. Tryeza u përmbyll me falënderime nga këshilli organizativ, për të gjithë të pranishmit. / Dahest Luma

No comments yet...

Leave your comment

26332

Character Limit 400